Home LAJME Ja përse thuhet se dita e premte (e xhuma) është e rëndësishme dhe e begatë/ Allahu faltë shëndet dhe të mira për shqiptarët

Ja përse thuhet se dita e premte (e xhuma) është e rëndësishme dhe e begatë/ Allahu faltë shëndet dhe të mira për shqiptarët

0
Ja përse thuhet se dita e premte (e xhuma) është e rëndësishme dhe e begatë/ Allahu faltë shëndet dhe të mira për shqiptarët

Dita e Premte përmendet edhe në Kur’an. Në këtë ditë është një orë dhe kush e kap atë orë duke iu lutur Allahut, ai njeri ka shpëtuar (dhe do të arrijë atë që ka kërkuar).

Adhurimi dhe tradita e Profetit (a.s.) është shkuarja herët në xhami në ditën e Premte (Xhuma).

Namazi i ditës së Premte ka një shpërblim të madh. Cilido nga besimtarët, duke e besuar për sevapet e tij, merr gusël (lan të gjithë trupin), vishet me kujdes dhe fal namazin e ditës së Premte, lartësohet me vlerat e kësaj dite të bekuar…

Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s.) u tha shokëve të tij: “Ditën e Premte më dërgoni shumë salavate, sepse ajo është një ditë e tillë, e cila salavatet që ju më dërgoni, më vijnë edhe mua.”

Transmetohet nga Muxhahidi se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ai që arrin të falë namazin e së Premtes, i jepen njëqind sevape të dëshmorit.”

Allahu nga mirësia e Tij na e ka dhuruar këtë ditë. Ai i ka zbritur umetit të Muhamedit (a.s.) një sure në Kur’an (Sure Xhumua – Kaptina 62), ku besimtarët porositen të braktisin të gjitha punët e tjera kur thirret ezani i Xhumasë, të shkojnë në falje e të mos i preokupojë ndonjë tregti apo ndonjë punë tjetër.

Transmetohet nga Aliu (r.a.) se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ditën e Premte, në derën e çdo xhamie ulen shtatëdhjetë engjëj. Ata shkruajnë emrat e atyre që hyjnë në xhami. Më në fund, kur imami ulet në minber, në xhami futet edhe njeriu i fundit, që ulet pa shqetësuar askënd dhe pa i folur askujt. Ky njeri, do të marrë më pak shpërblime nga të gjithë të tjerët që e falën namazin e së Premtes. Megjithatë, atij do t’i falen mëkatet që ka bërë nga namazi i së Premtes së shkuar e deri në namazin e së Premtes që fali së fundi. Nëse ai që vjen më vonë në namazin e së Premtes, merr kaq sevape, llogarit sa sevape do të marrë ai që vjen herët për ta falur këtë namaz.”

Puna më e mirë është puna që Allahu e pranon, sado e vogël ose e madhe të jetë ajo. Muaji më i mirë është muaji kur pendohemi me gjithë zemër përpara Allahut. Dita më e mirë është dita që largohemi me besim nga kjo botë.

Nuk duhet të braktisim faljen e namazit të së Premtes, ngase ai është obligim për besimtarët. Nuk duhet të braktisim namazin, për shkak të tregtisë, qejfit dhe dembelizmit.

I dërguari i Allahut (a.s.) i jep këtë sihariq Ebu Bekrit (r.a.), duke i thënë: “Nëse dikush merr gusul, pra pastrohet ditën e Premte, për faljen e namazit, atij i mbulohen mëkatet. Kur ai shkon në xhami, për çdo hap që ai hedh derisa të mbërrijë atje, i jepen sevapet e njëzet vite adhurimesh!”

Seid ibn Musejjeb (r.a.) thotë: “Për mua është më e dashur të fal namazin e së Premtes sesa të bëj një haxh nafile.”

I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Ai që shkon i pari në faljen e namazit të së Premtes, merr sevape sikur ka bërë kurban një deve në rrugë të Allahut. Ai që shkon i dyti, merr sevape sikur ka bërë kurban një lopë në rrugë të Allahut. Ai që shkon i treti, merr sevape sikur ka bërë kurban një dele në rrugë të Allahut. Ai që shkon i katërti, merr sevape sikur ka bërë kurban një pulë në rrugë të Allahut. Ai që shkon i pesti, merr sevape sikur ka dhënë sadaka një vezë në rrugë të Allahut.”

Le të përpiqemi që të shkojmë në xhaminë më të largët për të falur namazin e së Premtes. Le të pastrojmë në këtë ditë, jo vetëm rrobat dhe trupin, por edhe zemrën dhe çdo punë që kryejmë. Të mos flasim e të mos flemë gjatë hytbes. Të shkojmë sa më herët në xhami dhe të dalim sa më vonë prej saj.

Të mos braktisim pa shkak faljen e namazit të së Premtes, sepse bëhemi prej hipokritëve, siç thotë edhe i dërguari i Allahut (a.s.): “Kush e braktis tre herë radhazi faljen e namazit të së Premtes pa shkak, ai shkruhet prej hipokritëve.”

Njeriu, sa më shumë ta respektojë namazin e së Premtes, aq më shumë sevape merr. Të rregullojmë radhët e namazit dhe të bashkohemi me njëri-tjetrin.

Kur themi të rreshtohemi mirë në namaz, nuk nënkuptojmë vetëm rreshtimin e mirë, por nënkuptojmë që edhe zemra jonë të jetë e pastër dhe e mirë, si dhe të jetë e larguar nga të këqijat.

O Zot! Na fut te grupi i njerëzve të sinqertë, që të adhuron Ty në këtë ditë dhe që ka fituar mëshirën Tënde.

Bëje ditën e Premte të dëshirueshme! Dëshira jonë është kënaqësia Jote! Na mundëso që të bëjmë punë të mira, duke fituar kënaqësinë Tënde!

Na bëj prej njerëzve të sinqertë! Na mundëso që të fitojmë ndërmjetësimin e ditës së Premte!

Na fal e na bëj të gëzueshëm! Qëndrimi ynë në këmbë dhe sexhdja jonë në namaz, janë për Ty! Ty të madhërojmë, Ti je një i Vetëm dhe ekzistenca Jote nuk ka kufi. Mos na largo nga rruga e drejtë! Na forco në rrugën e drejtë, në rrugën e fesë Islame! Na jep shëndet, mirësi dhe na forco besimin! Ne shpresojmë në mëshirën Tënde! O Zoti ynë! Na jep mirësi, na jep lehtësi në të gjitha punët tona të mira!

Na bëj që ta shohim veten tonë të vogël! Na pastro nga mendjemadhësia, smira, zilia dhe koprracia! Pastroje shpirtin tonë! Jepi dritë zemrës sonë me dritën e Kur’anit dhe zbukuroje gjuhën tonë me gjuhën e teuhidit. Na lartëso me fjalën Tënde!

Allahu e di me se miri!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here